Shtojca për përpunimin e të dhënave

  1. Përkufizimet
    Brenda kësaj Shtojce për përpunimin e të dhënave, “GDPR” nënkupton Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (Rregullorja (BE) 2016/679) dhe “Kontrolluesi”, “Përpunuesi i të dhënave”, “Subjekti i të dhënave”, “Të dhënat personale”, “Shkelja e të dhënave personale” dhe “Përpunimi” do të kenë të njëjtat kuptime siç janë përkufizuar në GDPR. “Të përpunuara” dhe “Përpunoj” do të interpretohen në përputhje me përkufizimin e “Përpunimit”. Referimet për GDPR-në dhe dispozitat e saj përfshijnë GDPR-në siç është ndryshuar dhe inkorporuar në ligjin e MB-së. Të gjithë termat e tjerë të përkufizuar këtu do të kenë të njëjtat kuptime siç janë përkufizuar diku tjetër në këtë Marrëveshje.
  2. Përpunimi i të dhënave
    1. Gjatë kryerjes së aktiviteteve të saj si Përpunues në kuadër të kësaj Marrëveshjeje në lidhje me të gjitha Të dhënat personale brenda Të dhënave tuaja (“Të dhënat tuaja personale”), Meta konfirmon se:
      1. kohëzgjatja, lënda, natyra dhe qëllimi i përpunimit do të jenë siç specifikohen në Marrëveshje;
      2. llojet e Të dhënave personale të përpunuara do të përfshijnë ato që specifikohen në përkufizimin e Të dhënave tuaja.
      3. kategoritë e Subjekteve të të dhënave përfshijnë përfaqësuesit tuaj, Përdoruesit dhe të gjithë individët e tjerë të identifikuar ose të identifikueshëm nga Të dhënat tuaja personale; dhe
      4. detyrimet dhe të drejtat tuaja si Kontrollues i të dhënave në lidhje me Të dhënat tuaja personale janë siç përcaktohen në këtë Marrëveshje.
    2. Deri në masën që Meta i përpunon Të dhënat tuaja personale sipas ose në lidhje me Marrëveshjen, Meta duhet:
      1. t’i përpunojë Të dhënat tuaja personale vetëm në përputhje me udhëzimet tuaja siç përcaktohet sipas kësaj Marrëveshjeje, duke përfshirë në lidhje me transferimin e Të dhënave tuaja personale, duke qenë objekt i çdo përjashtimi të lejuar nga neni 28(3)(a) i GDPR-së;
      2. të garantojë se ata punonjës të saj që janë autorizuar për të përpunuar Të dhënat tuaja personale sipas kësaj Marrëveshjeje, janë angazhuar për konfidencialitetin ose janë në kuadër të një detyrimi të përshtatshëm statutor të konfidencialitetit në lidhje me Të dhënat tuaja personale;
      3. të zbatojë masat teknike dhe organizative të përcaktuara në Shtojcën për sigurinë e të dhënave;
      4. të respektojë kushtet e referuara më poshtë në seksionin 2.c dhe 2.d të kësaj Shtojce për përpunimin e të dhënave kur të caktojë nënpërpunuesit;
      5. t’ju ndihmojë me masat e duhura teknike dhe organizative, për sa kohë që kjo është e mundur përmes Workplace, për t’ju dhënë mundësinë që të përmbushni detyrimet tuaja për t’iu përgjigjur kërkesave për ushtrimin e të drejtave të privatësisë nga një Subjekt i të dhënave sipas Kapitullit III të GDPR-së;
      6. t’ju ndihmojë për të garantuar respektimin e detyrimeve tuaja në zbatim të neneve 32 deri në 36 të GDPR-së, duke pasur parasysh natyrën e përpunimit dhe informacionet në dispozicion të Meta;
      7. në përfundim të Marrëveshjes, të fshijë Të dhënat personale në zbatim të Marrëveshjes, përveçse nëse ligji i Bashkimit Evropian ose i shteteve anëtare kërkon mbajtjen e Të dhënave personale;
      8. t’ju vërë në dispozicion informacionet e përshkruara në këtë Marrëveshje dhe nëpërmjet Workplace duke përmbushur detyrimin e Meta për të vënë në dispozicion të gjitha informacionet që janë të nevojshme për të demonstruar respektimin e detyrimeve të Meta sipas nenit 28 të GDPR-së; dhe
      9. çdo vit, të sigurojë që një auditues i tretë i zgjedhur nga Meta, të kryejë një audit SOC 2 të tipit II ose një audit tjetër standard të industrisë për kontrollet e Meta në lidhje me Workplace; ky auditues i tretë autorizohet këtu nga ju. Me kërkesën tuaj, Meta do t’ju pajisë me një kopje të raportit të saj të auditit më të fundit, dhe ky raport do të konsiderohet Informacion konfidencial i Meta.
    3. Ju e autorizoni Meta t’ua nënkontraktojë detyrimet e saj të përpunimit të të dhënave në kuadër të kësaj Marrëveshjeje Filialeve të Meta dhe palëve të tjera të treta, një listë të të cilave Meta do t’jua japë pas kërkesës suaj me shkrim. Meta do ta bëjë këtë vetëm nëpërmjet një marrëveshjeje me shkrim me këtë nënpërpunues, e cila imponon të njëjtat detyrime të mbrojtjes së të dhënave ndaj nënpërpunuesit që i imponohen kompanisë Meta në kuadër të kësaj Marrëveshjeje. Kur ai nënpërpunues nuk arrin t’i përmbushë këto detyrime, Meta do të jetë plotësisht përgjegjëse ndaj jush për kryerjen e detyrimeve të mbrojtjes së të dhënave nga ai nënpërpunues.
    4. Kur Meta angazhon nënpërpunues shtesë ose zëvendësues nga (i) 25 maji 2018 ose nga (ii) data efektive (cilado të jetë më vonë), Meta do t’ju informojë për këta nënpërpunues shtesë ose zëvendësues jo më vonë se katërmbëdhjetë (14) ditë para caktimit të këtyre nënpërpunuesve shtesë ose zëvendësues. Ju mund ta kundërshtoni angazhimin e këtyre nënpërpunuesve shtesë ose zëvendësues brenda katërmbëdhjetë (14) ditësh nga momenti që Meta ju informon për këtë, duke përfunduar menjëherë Marrëveshjen përmes një njoftimi me shkrim për Meta.
    5. Meta do t’ju njoftojë pa vonesa të panevojshme pasi të vihet në dijeni të një Shkeljeje të të dhënave personale lidhur me Të dhënat tuaja personale. Ky njoftim duhet të përfshijë, në momentin e njoftimit ose sa më shpejt të jetë e mundur pas njoftimit, detajet përkatëse të Shkeljes së të dhënave personale kur është e mundur, duke përfshirë numrin e regjistrimeve tuaja të prekura, kategorinë dhe numrin e përafërt të Përdoruesve të prekur, pasojat e parashikuara të shkeljes dhe të gjitha zgjidhjet e mundura efektive ose të propozuara, sipas rastit, për zvogëlimin e efekteve të mundshme të padëshiruara të shkeljes.
    6. Deri në masën që GDPR-ja ose ligjet për mbrojtjen e të dhënave në ZEE, MB ose Zvicër zbatohen për përpunimin e Të dhënave tuaja sipas kësaj Shtojce për përpunimin e të dhënave, Shtojca për transferimin e të dhënave në Evropë zbatohet për transferimet e të dhënave nga Meta Platforms Ireland Ltd dhe përbën një pjesë të kësaj Shtojce për përpunimin e të dhënave dhe është e inkorporuar me anë të referencës në të.
  3. Kushtet e përpunuesit në SHBA
    1. Deri në masën që zbatohen Kushtet e përpunuesit të Meta në SHBA, ato do të bëjnë pjesë dhe do të inkorporohen me anë të referimit në këtë marrëveshje, përveç seksionit 3 (Detyrimet e kompanisë) i cili përjashtohet shprehimisht.